Luis Suarez ka thyer heshtjen. 34-vjeçari i Atletico Madrid ka prekur disa tema në prononcimin e dhënë për El Transistor, duke e nisur me çështjen e famshme të marrjes së pasaportës italiane. Kalimi te Juventusi nuk ishte opsioni i vetëm në verë.
“El Pistolero” i rikthehet edhe njëherë largimit nga Barcelona, teksa e mbyll me Diego Simeonen dhe kalimin te “Colchoneros”. Suarez është përshtatur për mrekulli tek ekipi që po dominon kampionatin spanjoll dhe deri tani numëron 14 gola në La Liga.
“Kisha shumë oferta, nuk më donte vetëm Juventusi. Ata nuk ishin klubi i vetëm që më donin mua. Pasaporta? Po tentoja ta merrja prej një viti. Nuk do të bëja asgjë nëse nuk do të largohesha nga Barcelona.
Largimi ishte i vështirë, sidomos momenti kur duhet t’ua shpjegoja fëmijëve të mi. Ata e kishin kuptuar, por preferojë të më shihnin duke u larguar me stil nga Barcelona. Koeman më telefonoi, më tha se nuk kishte besim tek unë.
E pranova atë që më tha, por i thashë që kam kontratë me klubin. Mund të qëndroja, por në atë pikë u bë një çështje nderi. Duhet të lëvizja. Presidenti? Nuk bisedova fare me të.
Simeone? Diego është një nga ata trajnerë që kur bëhet fjalë për të bindur një lojtar, ia del ta bindë: mentalitetin dhe pozitivitetin e tij. Njerëzit shpreheshin se nuk ndodhesha në momentin tim më të mirë, por trajneri më mbushi me besimin e nevojshëm.
Nuk isha i shqetësuar fare për stilin e lojës së Atleticos. Kam luajtur ashtu tek Uruguai dhe Liverpool, e dija që do të përshtatesha mirë me filozofinë e trajnerit“, deklaroi goleadori latin. /abcnews.al