Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi prek disa tema në lidhje me Vllazninë gjatë një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC. Ecuria fantastike e ekipit shkodran që kryeson me meritë kampionatin deri tani dhe ndeshja e nesërme me Laçin janë pikat ku fokusohet qytetarja e parë e Shkodrës.
“Sigurisht që jam e kënaqur, ecuria e skuadrës është shumë e mirë. Ne jemi të kënaqur në Shkodër me ecurinë e Vllaznisë deri tani, edhe unë normalisht. Kur flasim për Vllazninë jemi të gjithë kuqeblu. Tifozeria shkodrane bashkohet me dëshirën tonë për të arritur synimet tona. Jemi në rrugën e duhur për vendet kryesuese në kampionat. E di që ka goxha ndeshje deri në fund.
Janë shumë, është sfidë e hapur përpara për të gjithë ne. Duhet angazhim i vazhdueshëm, ndeshje pas ndeshje. Ne kryesojme me një avantazh të konsiderueshëm, por vazhdojmë me punën, për ta trajtuar çdo skuadër me seriozitet. Të gjithë skuadrat kanë cilësi, zemër, konkurrojnë. Unë mendoj se është një lojë e hapur, ndeshjet dhe futbolli do e tregojë. Vijojmë t’i marrim ndeshjet me seriozitet dhe përgjegjësi.
Punojmë në sinergji me zotin Xhaferri. Kam pasur komunikim me disa lojtarë, kam biseduar me Plorin dhe Matkon (Djarmati). Ka rënë shumë shi në Shkodër, jam e kënaqur që ka pushuar shiu më në fund. Mund të jetë oportunitet nesër për të bërë një futboll të mirë në një garë të drejtë.
Me pjesën teknike merret stafi teknik. Laçi? Vllaznia është shquar për partneritet dhe bashkëpunim. Shumë shkodranë luajnë në skuadrat e tjera të Superligës. Laçi ka arritur shumë, është konkurrent, ka një skuadër shumë të mirë.
Në Laç patëm një ndeshje shumë të rivalizuar. Mendoj se nesër do të jetë një ndeshje e bukur. Shpresoj që loja të na japë rezultatin e dëshiruar. Presidenti Duka në Shkodër për të dorëzuar kupën? Ai është i mirëpritur gjithmonë, e thotë që është një ndër tifozët më të devotshëm të Vllaznisë. E kemi ftuar disa herë, edhe nesër mund të jetë në Shkodër“, përfundoi Ademi. /abcnews.al