Opozitë pa unitet

schedule09:43 - 21 Gusht, 2018

schedule 09:43 - 21 Gusht, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen në fillim të muajit të shtator.

Përderisa nuk dihet nëse në këtë takim do të jetë apo jo temë diskutimi ideja për korrigjim të kufijve, partitë opozitare në Kosovë nuk janë të bashkuara në kundërshtimin, ndonëse që të gjitha janë deklaruar kundër një iniciative të tillë.

Gjithsecila nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate shprehen të gatshme të bashkëpunojnë mes vete, mirëpo ende nuk kanë një plan se si të veprojnë bashkërisht.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë se janë në kontakt me Vetëvendosjen dhe nuk përjashton mundësinë e arritjes së një qëndrimi të përbashkët opozitar.

“Me fillimin e sesionit të ardhshëm vjeshtor do të hyjmë në një proces të brendshëm konsultativ të partive politike opozitare për të parë se cilat nga format e përbashkëta të reagimit mund të sjellin efikasitet për ta ndalë, e para edhe vazhdimin e negociatave, e mos të flasim për t’i ndalë edhe këto aventura të rrezikshme për shtetin”, deklaroi deputeti Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Në Vetëvendosje janë të gatshëm për bashkëpunim, mirëpo thonë se kjo nuk nënkupton përfshirjen e këtij subjekti politik në ndonjë grup negociator apo grup uniteti.

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla thotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk është person që përfaqëson interesant e qytetarëve të vendit.

“Hashim Thaçi nuk mund të udhëheqë me çfarëdo delegacioni, apo çfarëdo bisedimesh me Serbinë për shkak se kemi përvojë të keqe me të. Për shkak se ai vetë është person i cili ka dëshmuar se për interesa të tij private është i gatshëm që të sakrifikojë interesat e këtij vendi, edhe për shkak se nuk është një figurë e cila përfaqëson unitetin politik të këtij vendi edhe strukturave të saj politike. Kurse, për sa i takon opozitës, ne jemi duke u koordinuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës për hapat e mëtutjeshëm”, tha Sveçla.

Partia Socialdemokrate ditë më parë kërkoi nga partitë e tjera opozitare që të mbështesin iniciativën e saj për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu mohon të kenë gjetur përkrahje apo gatishmëri nga LDK-ja dhe Vetëvendosja për bashkëpunim.

“Gjithashtu kemi qenë të gatshëm që edhe në iniciativa të tjera, qoftë ajo nga LDK-ja, qoftë nga Vetëvendosje të bashkëngjiten, por përsëri nuk ekziston vullneti i koordinimit nga këto dy subjekte. Thjesht, secila mbanë qëndrim, themi kështu të tyre, të cilat nuk janë se po japin ndonjë ide për të ecur përpara. Thjesht janë qëndrime të ngurta dhe qëndrime të cilat po i lejojnë presidentit Thaçi, që të vazhdojë më këtë retorikë, e cila, fatkeqësisht nuk na çon askund”, tha Sejdiu.

Muhaxhiri: Opozita pret më shumë qartësi nga ndërkombëtarët

Ky mosunifikim i opozitës, sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri po ndodh për shkak se opozita kosovare është duke pritur një qëndrim më të qartë të faktorit ndërkombëtar.

“Kjo temë e ka zënë opozitën kosovare krejtësisht të papërgatitur dhe për këtë arsye nuk ka një qëndrim, të unifikuar dhe të strukturuar të saj në raport me idenë e presidentit Thaçi. Pra, çështja kryesore është se opozita kosovare është në mes të frikës për suksesin e idesë së presidentit Thaçi dhe kritikave të bashkësisë ndërkombëtare. Është një gjendje e papërcaktuar në raport me këtë ide”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij, qëndrimi i përbashkët i opozitës dhe unifikimi në këtë fazë të bisedimeve, do të prodhonte efekt pozitiv, porse, derisa të qartësohet se çfarë do të jetë reagimi ndërkombëtar, një gjë e tillë është e pamundur.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u kundërshtua nga të gjitha subjektet politike si dhe nga shumë shtete evropiane, mbështetëse të Kosovës, në idenë e korrigjimit të kufijve.

Ditë më parë, presidenti Thaçi deklaroi se deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!