Frank Lampard nuk është më trajneri i Chelsea. Anglezi u shkarkua ditën e sotme dhe drejtuesit kanë nisur punën për gjetjen e timonierit të ri të ekipit londinez, me Thomas Tuchel dhe Max Allegri dy nga kandidaturat kryesore.
Rikthehemi te shkarkimi i Lampard. Klubi kreu një merkato të bujshme në verë, teksa ekipi ka ecur mirë vetëm në Champions League. Ndryshe në Premier League, aty ku Chelsea mban vendin e nëntë dhe ndodhet 11 pikë larg kreut.
The Athletic raporton se përveç rezultateve negative në kampionat, përplasja e trajnerit me drejtoreshen sportive të klubit solli shkarkimin e tij. Marina Granovskaia ka kërkuar të aktivizohej më shumë Kepa Arrizabalaga.
Chelsea pagoi 80 milion euro tek Athletic Bilbao, por portieri iberik nuk ka justifikuar investimin e madh. Granovskaia, e cila është krahu i djathë i presidentit Abramovich, ka insistuar që Kepa të luante më shumë.
Urdhri nuk është zbatuar nga Lampard dhe një gjë e tillë ka ndikuar që raporti mes tij dhe drejtoreshes sportive të prishej përfundimisht dhe të sillte fundin e aventurës së 42-vjeçarit në pankinën e Chelsea. /abcnews.al