Mediat serbe raportojnë se Rusia do të mbështesë republikën serbe të Bosnje Hercegovinës të shpallë pavarësinë nëse Kosova do të arrijë të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Moska është e gatshme të mbështesë republikën serbe në Bosnje e Hercegovine të marrë pavarësinë e saj, sidomos në konteksin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e Kosovës. E përditshmja serbe Vecernje Novosti shkruan se ky do të jetë mesazhi që do i dorëzohet anëtarit të presidencës serbe të Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili do të vizitojë Sarajevën dhe Banja Lukën në 16 dhe 17 shtator
Më tej shkruhet se Moska i ka sinjalizuar tashmë nëpërmjet kanaleve jo zyrtare Beogradit dhe Banja Lukës se po ndjek me një vëmendje shumë të madhe qëndrimin e Dodik. Ky i fundit deklaroi se nëse Prishtina arrin të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ose nëse marrëveshja përfundimtare për Kosovën do të përfshijë një gjë të tillë, atëhere dhe republika serbe në Bosnje e Hercegovinë do të ndërmarrë rrugën drejt pavarësisë.
E përditshmja serbe thekson se vizita e Lavrov në Banja Luka koincidon me bisedimet mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe presidentit rus Vladimir Putin në 15 shtator në Moskë. Gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën do të jetë tema kryesore e bisedimeve në Kremlin, i cili po monitoron me kujdes përmbajtjen e bosedimeve mes Prishtinës dhe beogradit, në mënyrë të veçantë për impaktin e faktorit ndërkombëtar në këtë çështje./abcnews.al