LDK: Ndryshimin e kufijve nuk e do askush

schedule15:02 - 12 Gusht, 2018

schedule 15:02 - 12 Gusht, 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar presindentin Thaçi se po përçan spektrin politik të vendit dhe se po mashtron në lidhje me dialogun me Serbinë. Deputetja Vjosa Osmani ka deklaruar se opsioni për ndryshimin e kufijve, i promovuar nga Thaçi, nuk mbështetet nga askush.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka kritikuar deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me kufijtë, duke i cilësuar ato si përçarëse. Në një intervistë për “Kosova Press”, Osmani ka deklaruar se Thaçi nuk po ushtron rolin e kreut të shtetit për të unifikuar spektrin politik, por po sulmon gjithnjë e më shumë opozitën në konferencat e tij të njëpasnjëshme. “Presidenti këtë ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij politike, ka krijuar përçarje. Edhe tani, kur si kryetar shteti ka kompetenca kushtetuese për unifikimin qytetar dhe politik po bën të kundërtën”, ka thënë Osmani.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për punët e jashtme ka nënvizuar se përveç akuzave të pavërteta e të pabaza ndaj rivalëve politikë, Thaçi po mashtron edhe me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian nuk e dëshirojnë ndryshimin e kufijve, pasi një lëvizje e tillë do të shkaktonte efekt domino në Maqedoni e Bosnje. “Kushdo që dëshiron të dijë përgjigjen e qartë të Shteteve të Bashkuara rreth kësaj teme mjafton të lexojë deklaratën e Departamentit të Shtetit, ku kërkohet zgjidhje e qëndrueshme dhe e implementueshme”, ka vijuar Osmani.

Ndërsa ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj për distancim nga çështja, ajo ka shtuar se LDK është e gatshme të marrë përsipër procesin e dialogut pasi të mbahen zgjedhje të parakohshme. “Ky është një qëndrim i votuar unanimisht në grupin parlamentar. Është një qëndrim që ka marrë mbështetje edhe në kryesi dhe nuk ka arsye që ai të ndryshojë”, ka shtuar Osmani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!