Një masakër, ndër më të rëndat e viteve të fundit në Shqipëri ka ndodhur në fshatin Resulaj të Selenicës. Një 24 vjeçar ka ekzekutuar 8 persona nga dy familje të fisit Zykaj me të cilët kishte lidhje gjaku. Autori Ridvan Zykaj, pas krimit është larguar dhe nuk dihet ende vendndodhja e tij.
Forca të shumta të Policisë së Vlores kanë zbarkuar në terren. Në ndihmë të tyre ka shkuar Renea, Delta Forca dhe FNSH.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit të rëndë.
Nga të shtënat me armë zjarri është shuar një familje e tërë, përkatësisht dy prindër, dy djemtë e tyre me bashkëshortet dhe dy fëmijët e tyre.
Konfirmohet që viktimat janë Azem Zykaj 45 vjeç, Afërdita Zykaj 42 vjeçe, Demir Zykaj 75 vjeç, Perie Zykaj 72 vjeçe, Besim Zykaj 43 vjeç, Vasilika Zykaj 42 vjeçe, Sara Zykaj 16 vjeçe dhe Ledion Zykaj 8 vjeç. Sipas policisë, gjyshi i autorit e kishte vëlla 75 vjeçarin Demir Zykaj që mbeti i vrarë në këtë ngjarje. Ndërkohë që po transportohen të gjithë trupat e pajetë në morgun e Spitalit të Vlorës. Deri tani kanë mbërritur 4 viktima.
Autori mendohet se ka probleme me shëndetin mendor. Ndërkohë, vijon kontrolli i imtësishëm i gjithë zonës nga RENEA dhe FNSh duke përdorur edhe qentë e gjurmës./abcnews.al