Qindra studentë protestuan në kampusin Solbosch të Universitetit të Lirë të Brukselit, kundër shkurtimeve në arsim dhe reformave qeveritare. Në shënjestër të kritikave ishte edhe plani për investime ushtarake prej 34 miliardë eurosh deri në vitin 2034.
Studentët e Universitetit të Lirë të Brukselit (ULB) kanë zhvilluar një protestë në kampusin Solbosch, duke kundërshtuar rritjen e tarifave të shkollimit, shkurtimet e buxhetit për arsimin dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në sektorin e arsimit të lartë.
Me pankarta dhe slogane, demonstruesit kërkuan arsim falas dhe cilësor, ndërsa kritikuan politikat që, sipas tyre, po e bëjnë arsimin gjithnjë e më pak të aksesueshëm për studentët.
Sipas raportimit të gazetës “The Brussels Times”, një nga arsyet kryesore të protestës është rritja me rreth 43% e tarifave vjetore të shkollimit.
Të dhënat e Federatës Valoni-Bruksel tregojnë se kjo rritje prek rreth 58% të studentëve në arsimin e lartë.
Studentët kundërshtojnë gjithashtu ndryshimet në dekretin “Paysage”, që përcakton organizimin e arsimit të lartë, si dhe shkurtimet e shpenzimeve për arsim në Federatën Valoni-Bruksel.
Një tjetër objektiv i protestës ishte plani i qeverisë federale për të investuar 34 miliardë euro në sektorin ushtarak deri në vitin 2034.
Studentët vunë në kontrast fondet e parashikuara për mbrojtjen me financimin e arsimit, duke kërkuar më shumë investime për universitetet dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Njëra prej hyrjeve të kampusit ishte dekoruar me kamuflazh ushtarak dhe mbishkrimin “Arsim elitist + luftë”, ndërsa në një tjetër hyrje ishte vendosur mesazhi “Arsim falas dhe cilësor”.
Në përfundim të demonstratës, protestuesit u bënë thirrje studentëve dhe sindikatave të arsimit që t’i bashkohen protestës së planifikuar për 17 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Studentëve.
Gjithashtu, ata shprehën mbështetje për aksionin e 20 nëntorit kundër shërbimit vullnetar ushtarak, të organizuar nga platforma “Service for Peace”.


