Përmbytjet, Ademi në “ABC”: Situata është me vështirë se dje, qeveria asnjë investim

schedule14:02 - 11 Janar, 2021

schedule 14:02 - 11 Janar, 2021

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në një intervistë në ABC tha se ditën e sotme situata e përmbytjeve është më e vështirë.

Gjatë intervistës me gazetaren Juli Xhokaxhi, Ademi gjithashtu tha se në zonën e veriut ka disa problematika që lidhen me banesat, ndërsa në Malësinë e madhe për shkak të dëborës ka izolime.

Ndërkohë ajo shtoi se në Bashkinë Shkodër nuk ka pasur izolime të rënda, duke bërë me dije se janë siguruar 1300 shtretër dhe rreth katër godina janë në gatishmëri në rast të ndonjë emergjence.

“Situata është me vështirë se ditën e djeshme. Në Dajç kemi rritje të nivelit të ujit, po ashtu edhe në lumin Drin. Ne kemi dëme edhe në bujqësi. Një ujësjellës është jashtë funksionit dhe sot janë bërë furnizime me mjetet e ushtrisë për të gjithë banorët”, tha Ademi.

Lexo edhe: Vau i Dejës rrit 43% tarifën për mbetjet, Ademi: Ligji e ndalon 3 muaj para zgjedhjeve

Gjithashtu Ademi theksoi se Oboti është pjesërisht i izoluar dhe rruga që lidh fshatin me rrugën nacionale në një segment të saj mund të kalohet vetëm me mjete të ushtrisë.

Ndërkohë Ademi tha se për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Obot për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet, nuk ka pasur asnjë kontakt nga ky i fundit, por është njoftuar nga mediat për mbërritjen e tij në Shkodër.

“Ne nuk kemi shpallur emergjencë civile. Nuk jemi në situatën e vitit 2010, nuk ka reshje të asaj situate. Por lidhur me menaxhimin dua të them se pas vitit 2013 nuk ka pasur asnjë investim nga kanalet e para kulluese, ndërsa kanalet e dyta dhe të treta janë pastruar nga Bashkia Shkodër. Gjatë 5 viteve nuk ka pasur asnjë plan”, tha ajo.

Teksa u pyet për depozitimin e mbetjeve,  situatë kjo që shkaktoi debat pas rritjes së çmimit prej 43% të tarifës vendosur Bashkia e Vaut të Dejës, Ademi theksoi se ende nuk ka asnjë komunikim, ndërsa shtoi se mbetjet po depozitohen në një vend të përkohshëm.

“Po i depozitojmë në një vend të përkohshëm, këtë informacion e ka bërë me dije edhe në Prefekturë. Besoj se qytetarët e Shkodrës duan një arsyetim përse u mor vendimi për rritjen e tarifave. Vendimin për rritjen e tarifës. Po flasim për një aset publik dhe këto janë në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, janë investuar nga para publike.

Duhet lënë veçmas aseti, infrastruktura dhe shërbimi.  Sot në bord nuk është as Bashkia Shkodër dhe nga viti në vit asnjë nga Bashkitë nuk është në bordin e vendimmarrjes. Kur kam ardhur në Bashkinë Shkodër, në bord kanë qenë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, në vitin 2017 kemi pasur rritje të çmimit, për këtë çështje u diskutua rreth 6-7 muaj dhe u vendos rritja e çmimit, por me një konsensus”, u shpreh Ademi.

Gjithashtu ajo theksoi se janë në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës nëse ka argumente për rritjen e çmimit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!