Bashkia e Tiranës është angazhuar që të plotësojë nevojat për 20 mijë dhurime gjaku brenda vitit. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj e bëri të ditur, ndërsa Punonjësit e Drejtorisë Nr.3 të Qytetit dhuruan gjak për personat në nevojë.
Fushata për dhurimin e gjakut nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës do të vijojë deri në fund të verës ndersa në shtator nismës pritet t’i bashkohen edhe bizneset e kryeqytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh optimist që kjo nismë do të mbështetet masivisht nga qytetarët.
“Kemi pasur disa fushata që i ngjajnë kësaj të dhurimit të gjakut. Një prej tyre ishte ajo e mbjelljes së pemëve. Të dyja lidhen me jetën. Ndaj, besoj se fati i kësaj nisme do të varet nga sa të përqendruar e të përkushtuar do jemi në këtë fushatë. Ashtu siç nisi me pemët, fillimisht bashkia, më pas u bashkuan sipërmarrjet, pastaj shoqatat, familjarët, çerdhet, kopshtet, shkollat. Besoj se do të ndjekim të njëjtën strategji. Pra, gjatë kohës që njerëzit janë me pushime, Bashkia ka marrë stafetën dhe po mundohemi që në Tiranë të kemi kompletuar nevojat për 20 mijë dhurime brenda një viti”, shtoi ai.
Këtë herë fushatës së dhurimit të gjakut për personat në nevoje iu bashkuan Punonjësit e Drejtorisë Nr.3 të Qytetit. /abcnews.al