Alban Xhaferi, sponsori i Vllaznisë, pas fitores që kryesuesit e kampionatit morën kundër Teutës, ka folur për mediat dhe e vlerëson ecurinë e kuqebluve. Këtë herë ai nuk e përmend titullin kampion, por kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë dhe t’i marrë ndeshjes me radhës. Merkato dhe ana financiare ishin temat e tjera për të cilat Xhaferi foli.
Tre pikë për kampion?
Ne që në fillim i kemi shprehur objektivat tona. Do i marrim ndeshjet një e nga një, do vlerësojmë çdo përballje. Akoma nuk ka përfunduar faza e dytë, ka kampionat plot dhe ka ndeshje shumë të forta. Na bëhet qejfi që kemi krijuar një distancë prej nëntë pikësh, gjë që është për t’u vlerësuar. Duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të ecim përpara dhe të realizojmë objektivat tona.
Çfarë ndodh me merkaton e Vllaznisë?
Po shohim 2-3 lojtarë, pasi kemi pasur disa largime që dihen. Stafi po punon që të plotësojmë ato pozicione, por pa prishur atë harmoninë që është krijuar në skuadër.
Ndonjë shpërblim në fillimviti?
Lojtarët po na shpërblejnë ne të gjithëve, gjithë Shkodrën dhe ata do të shpërblehen në mënyrën më të mirë të mundshme. /abcnews.al