Mbrojtësi i Manchester City, Benjamin Mendy, ka thyer rregullat anti-Covid në natën e ndërrimit të viteve. Këtë fakt e ka pranuar vetë lojtari, i cili ka kërkuar falje mbrëmjen e djeshme. Ai deklaroi se ka thyer disa nga rregullat, pasi organizoi një festë në shtëpinë e tij.
Mendy hodhi poshtë zërat se në festë mund të kishte patur dhe prostituta, pasi konfirmoi se aty ndodheshin dhe famijlarë të tij. Megjithatë, sipas raportimit të “The Sun”, francezi i ka dërguar një mesazh një agjencie në Londër, ku kërkonte disa “vajza” për festën e tij.

Ky mesazhi erdhi direkt pas lajmit se sfida mes Everton dhe Manchester Cityt do të shtyhej, për shkak të disa infektimeve në radhët e “Qytetarëve”.
Një burim i ka treguar The Sun detaje të festës: “Kishte shumë zhurmë që vinte nga shtëpia dhe mund të dëgjoheshin vajza që bërtisnin dhe kënaqeshin. Në mesnatë kishte një shfaqje të madhe me fishekzjarrë. Duhet të ketë kushtuar një pasuri dhe zgjati për të paktën 10 minuta. Festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit. Mendy është një idiot për thyerjen e rregullave kaq haptazi”.
Ky lajm nuk do t’i pëlqejë aspak Pep Guardiolës, i cili ka deklaruar se rregulloren anti-Covid ia kujtojmë çdo ditë lojtarëve. Ndërkohë, Premier League po përballet me një rritje të numrit të të infektuarve dhe si pasojë edhe përballja e sotme mes Burnley dhe Fulham është shtyrë për në një datë tjetër. /abcnews.al

