Tirana hedh “grepin” sërish në Maqedoninë e Veriut te kampionët e Vardarit. Këtë herë bardheblutë kanë piketuar një sulmues dhe ai është Matej Cvetanovksi, i cili po kërkohet edhe nga dy klube të tjera shqiptare.
Sportmedia.mk raporton se kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë qenë më konkretë dhe i kanë bërë ofertën më të mirë sulmuesit, duke parakaluar Shkëndijën e Tetovës dhe Shkupin.
Te Tirana duken të dëshpëruar për të përforcuar skuadrën dhe për të fituar sërish titullin. Këtë sezon bardheblutë nuk e kanë nisur mirë dhe në sulm po shfaqin dobësi, ndaj edhe po shikohet për përforcime.
Cvetanovski këtë sezon me Vardarin po spikat, duke shënuar 6 gola në 16 ndeshje dhe do të ishte zëvendësuesi ideal për Elton Cale, i cili është i dëmtuar dhe pritet të rikthehet në muajin janar. Cvetanovski është 23 vjeç dhe do të ishte një investim edhe për të ardhmen. / abcnews.al