Personi që vendosi lëndën shpërthyese në banesën e Xhelal Dacit ishte paguar 5 mijë euro. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor, ndërsa vuri në pranga një person me origjinë nga qyteti i Kukësit. Vilson Brahaj ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin që u largua me vrap, ku më pas u identifikua edhe mjeti që kishte fshehur në një bodrum, afër lumit tek “Ura e Tapizës”.
Pak ditë pas shpërthimit në banesën e Xhelal Dacit në zonën e Bathores në kryeqyetet policia ka prangosur një 23-vjeçar si autor të dyshuar për ngjarjen.
Ky është momenti ndalimit të Vilson Brahaj me orgjinë nga qyteti i Kukësit. Forcat e FNSH-së e arrestuan në shtëpinë e tij në periferi të Tiranës. Siç duket edhe nga pamjet e shpërndara nga uniformat blu, Brahaj ishte autori që largohej me vrap, pak çaste pasi kishte vendosur eksplozinin në banesën e familjes Daci.
Operacioni i policisë për kapjen e 23-vjeçarit quhej “Pagesa”. Nga hetimet rezultoi se, Vilson Brahaj kishte marrë 5 mijë euro për vendosjen e 500 gramëve triton në dyqanin e Xhelal Dacit.
Policia ende nuk ka një emër se kush ka qenë personi që i ka dhënë paratë të riut me origjinë nga Kukësi, pasi ky i fundit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit.
Ndërkohë, autori i dyshuar pas kryerjes së krimit, sipas policisë ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura në orët e para të mëngjesit të së premtes. Vetëm pak metra më tej, Brahaj kishte edhe fshehur automjetin që u largua nga zona ku ndodhi shpërthimi.
Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes. Familja Daci është në konflikt prej 3 vitesh me familjen Kolaveri për shkak se, Gazmir Daci ka vrarë Valmir Kolaverin në Nëntor të 2015-s dhe ka plagosur vëllanë e tij, Robert Kolaverin.
Gazmir Daci po vuan dënimin me 35 vite burg të dhënë nga Gjykata e Tiranës, teksa banesës së tij në rrugën “Martin Camaj” i është vënë edhe 3 herë të tjera tritol./abcnews.al