Erdogan ka njoftuar se po organizon një samit mes Turqisë, Gjermanisë, Francës dhe Rusisë për të trajtuar çështjet rajonale. Një ndër temat kryesore pritet të jetë kriza në Siri. Samiti pritet të zhvillohet në Shtator.
Turqia po planifikon mbajtjen e një samiti në Stamboll më 7 Shtator mes Francës, Gjermanisë dhe Rusisë për të diskutuar çështjet rajonale duke përfshirë edhe konfliktin në Siri. Lajmi sipas së përditshme turke Hurriyet është bërë i ditur nga vetë Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.
“Ne do të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë së bashku në rajon”, shtoi kreu i shtetit pa dhënë detaje të mëtejshme rreth samitit apo çështjeve që do të adresoheshin.
Sipas presidenti turk, i cili deklaratat i bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët turq gjatë udhëtimit të tij në Afrikën e Jugut, shtoi megjithatë se Turqia do të vazhdonte dialogun me Rusinë “jashtë këtij formati mes 4 vendeve.” Erdogan zhvilloi bisedime në Johanesburg me presidentin rus Vladimir Putin në samitin e vendeve në zhvillim, të BRICS të përbërë nga: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Presidenti turk ishte ftuar në këtë takim si të tjerët udhëheqës nga vendet jo anëtare.
“Do të kemi veç një takim në Stamboll më 7 Shtator me Rusinë, Gjermaninë, Francën dhe Turqinë”, tha Erdogan i cituar nga shtypi turk.
Asnjë konfirmim nuk ka ardhur ndërkohë nga Moska, Parisi apo Berlini. Që nga fillimi i krizës siriane në vitin 2011, Turqia ka mbështetur rebelët që kërkojnë të rrëzojnë presidentin Bashar al-Assad, të cilin Rusia dhe Irani e mbështesin ushtarakisht./abcnews.al

