Teatri i ri, Veliaj: Vonesa prej 40 ditësh nuk e frenon punën tonë

schedule14:01 - 28 Korrik, 2018

schedule 14:01 - 28 Korrik, 2018

Vonesa prej 40 ditësh nuk do ta frenojë punën tonë. Deklarata vjen nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili thotë se parlamenti do të miratojë sërish ligjin për ndërtimin e Teatrit të Ri në Shtator.

Parlamenti do ta miratojë sërish projektligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit të vjetër Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri. Reagimi vjen nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj,  i cili kthimin e ligjit në Kuvend nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e quan një vonesë të vogël.

“Do të presim me durim këto 40 ditë, teksa Parlamenti të mblidhet sërish për të kaluar Teatrin e ri. Por, gjithmonë pyetja që i bëj vetes është: këta që kundërshtojnë çdo gjë, a nuk ishin po këtu që thoshin mos ma prek liqenin, mos ma prek parkun? A është sot parku më i frekuentuar? Gjasat janë që ata që po ndërtojnë dhe transformojnë Tiranën, do të vazhdojnë ta bëjnë diçka të tillë apo jo? Përgjigja është po; ne do të vazhdojmë ta ndryshojmë Tiranën dhe një handikap i vogël prej pak ditësh nuk do të na frenojë që të vazhdojmë me një kënd lodrash këtu. Edhe këtu mund të kemi protesta sepse ritmi i punëve të bashkisë është që në çdo ditë po hapet një kantier i ri. Do ta vazhdojmë këtë gjatë gjithë verës. Por, pyetja është: A do t’i prekim gjërat me dorë? Do vëmë dorë në këtë vend që Shqipëria të lulëzojë”?

Kryetari i bashkisë i shprehu mirënjohjen komunitetit të artisteve që mbështeten projektin e teatrit të ri, shigjetoi opozitën dhe i kërkoi qyetarëve të kujtojnë se çfarë bëri për ta kur ishte në pushtet.

 “U jam shumë mirënjohës të gjithë aktorëve që mbështetën teatrin e ri, gjithë shoqërisë që mbështet zhvillimin e Tiranës. Për të gjithë ata njerëz që mund të kenë ende dyshime, duhet t’i bëjnë një pyetje vetes kur shikojnë kundërshtarët e projekteve të bashkisë dhe të qeverisë në televizor: Këta që kundërshtojnë çdo gjë, çfarë kanë bërë për mua? Kanë ndërtuar ndonjë çerdhe? Kanë ndërtuar ndonjë shkollë? Kanë mbjellë këta ndonjë pemë? Kanë hequr plehrat nga rruga? A kanë bërë këta diçka konkrete që ma ka ndryshuar mua jetën?  Unë besoj se shumica dërrmuese, jo vetëm e aktorëve dhe e tiranasve, por shumica dërrmuese e qytetarëve nga Kamza, nga Shkodra, që panë atë karikaturë të djeshme, duan që në fakt Kamza të bëhet si Tirana dhe jo Tirana si Kamza; duan që Shkodra të bëhet si Tirana dhe jo anasjelltas. Ndaj, besoj se Tirana nuk ka nevojë të marrë leksione nga ata që janë të mbytur në ujë dhe nga ata që janë të mbytur në plehra.”  

Deklaratat kryetari i bashkisë i bëri ndërsa inspektoi punimet për ndërtimin e këndit të ri rekreativ në Pakun e Liqenit.

Sheshi i ri rekreativ po ndërtohet në një nga hapësirat e papërdorura të Parkut të Liqenit, në zonën jugore të tij me një sipërfaqe totale 5.500 metra katrorë. Ky investim harmonizohet edhe me investimet e tjera, si pistat e reja dhe shëtitorja e re perimetrale jug-perëndimore te Parku i Madh.

Këndi i ri parashikohet të jetë gati në fund të vitit ndërsa kryebashkiaku tha se Tirana do të rikuperojë kohën e humbur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!