Drejtori i policisë Rrugor Mitat Tola përmes një deklarate për mediat është shprehur se janë marrë masa shtesë për trafikun në sezonin e verës për të shmangur aksidentet. Ai theksoi se në të gjitha drejtoritë e qarqeve dhe veçanërisht në zonat bregdetare, Policia Rrugore është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në gjatë sezonit veror.
Fluksi i automjeteve në sezonin veror arrin kulmin sidomos në zonat bregdetare.
Për këtë arsye drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, evidentoi disa nga masat shtesë të ndërmarra për të shmangur aksidentet rrugore që në periudhën Korrik-Gusht gati trefishohen, krahasuar me muajt e tjerë të vitit.
“Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore ka arrestuar 85 drejtues automjetesh për drejtim në gjendje të dehur dhe 151 drejtues mjetesh janë arrestuar për mungesën e lejes së drejtimit. Janë gjobitur rreth 490 mijë drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, si tejkalim shpejtësie, parakalim i gabuar, mospërdorim i rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit etj”.
Tola shtoi se përdorimi i rripit të sigurimit dhe respektimi i shpetësisë nga drejtuesit e automjeteve janë dy nga kriteret për të shmangur aksidentet në rrugë. Drejtori i Policisë Rrugore paralajmëroi se do vijojnë kontrolle gjatë fundjavës, pasi ka dhënë rezultat sidomos në ndërgjegjësimin e shoferëve për të mos përdorur pije alkoolike.
Në fund Policia Rrugore kërkon ndihmën e qytetarëve dhe medias që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të saj./abcnews.al