Pesë të arrestuar në Tiranë, policia jep detajet

schedule13:53 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 13:53 - 22 Dhjetor, 2020

Policia e Tiranës ka arrestuar pesë persona gjatë orëve të fundit. Blutë e kryeqytetit njoftojnë se të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.   

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. R., 21 vjeç, pasi në Rrugën e Kosovarëve, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij u gjet një dorezë metalike (përforcues grushti), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Q., 43 vjeç, pasi në banesë, në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëjetueses së tij. 

Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Rinas u bë arrestimi  në flagrancë i  shtetasit P. P., 41 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në dalje nga Republikës së Shqipërisë iu gjet një kartë identiteti e dyshuar e falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. S., 21 vjeç, pasi në Vorë, u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.63 mg/l.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!