Ish-stacioni i trenit në Tiranë tashme do të kujtohet përmes një lokomotive me avull. Instalacioni u vendos në hyrje të Bulevardit të Ri ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi rikthimin e trenit në Tiranë, por këtë herë, sipas tij do të jetë elektrik.
Treni do të rikthehet në Tiranë ndonëse parashikohet të jetë elektrik. Stacionin pritet ta ketë thuajse në të njejtin vend, në bulevardin e ri.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, lajmin e dha në ceremoninë e vendosjes së instalacionit të lokomotivës me avull, ku tha se banorët e kryeqytetit shpejt do të udhëtojnë me tren drejt aeroportit të Rinasit dhe qytetit të Durrësit.
“Treni i ri elektrik do të kalojë në anën tjetër, kjo është arsyeja pse e vendosim lokomotivën në këtë anë. Me këto mundësi, besoj se brenda mandatit tjetër do të kemi shansin që të përjetojmë udhëtimin e parë me trenin elektrik, pa ndotje, nga Tirana në Rinas dhe pastaj nga Tirana në Durrës. Do të kemi mundësi të shikojmë, ku ishim, ku jemi dhe ku duam të shkojmë në të ardhmen”.
Kjo lokomotivë u prodhua në vitin 1951 në Poloni ndërsa misionin e saj e përfundoi në Shqipëri në vitin 1986. Fillimisht u shërbeu udhëtarëve dhe më pas trenave të mallrave. Sot sipas kryebashkiakut nuk është vetë një kujtesë fizike.
“Kjo përkon me vitin kur u krijua konsorciumi i parë që i parapriu BE-së, që ishte unioni i çelikut dhe i qymyrit. Në fakt, avulloret e para në Europë ishin për të mundësuar tregtinë e çelikut dhe të qymyrit. Nga marrëveshja e vitit ’51 lindi ajo që sot quhet Bashkimi Europian, negociatat me të cilin do t’i hapim vitin tjetër. Kështu që, kjo është edhe një kujtesë jo vetëm fizike, por edhe politike, edhe e njerëzimit, edhe e faktit si ka zhvilluar jo vetëm shkenca, por edhe marrëdhëniet mes popujve, që nisën si marrëdhënie tregtare dhe sot janë marrëdhënie shumëpalëshe në atë që e quajmë familja evropiane”.
E ardhmja e Tiranës nuk është një qytet ku punët i bën vetëm bashkia, po ku djem dhe vajza adoptojnë një pjesë të qytetit për ta zbukuruar deklaroi Veliaj teksa falenderoi të rinjte që u morën me vendosjen e këtij instalacioni në kryeqytet./abcnews.al