Deklaratat e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, për aneksimin e Krimesë, të cilin e quajti të ligjshëm dhe për revolucionin e rremë të 2014-ës në Kiev, kanë shkaktuar reagime të ashpra në Ukrainë.
Nuk kanë kaluar pa u vënë re fjalët e Matteo Salvini përsa i përket aneksimit të Krimesë nga Rusia. Sipas ministrit të Brendshëm italian, ky aneksim ishte i ligjshëm pasi ndodhi pas referendumit të mbajtur në vend.
Në intervistën e tij të gjatë të së premtes për Uashington Post, zv/kryeministri italian nuk e fshehu aspak simpatinë politike dhe njerëzore për presidentin rus, Vladimir Putin. Pas deklaratës për ligjshmërinë e aneksimit të Krimesë, e vendosur nga një referendum, Ukraina ka kërkuar një takim urgjent me ambasadorin italian në Kiev për t’i dorëzuar një notë proteste formale për deklaratat e ministrit Salvini.
Autoritet ukrainase shkruajnë se dënojnë qëndrimin e politikanit italian të pabazuar në fakte reale dhe në kontraditkë me normat e ligjit ndërkombëtar. Por jo vetëm kaq, lideri i Legës ka shtuar se manifestimet massive në Kiev në 2014-n, të cilat çuan dhe në ndryshimin e pushtetit, ishin pjesë e një revolucioni të rremë./abcnews.al