Jose Mourinho është një nga trajnerët më fitues në qarkullim. “Special One” ka marrë drejtimin e Tottenham prej nëntorit të vitit të kaluar. Sezoni i ri ka nisur në mënyrë fantastike dhe “Gjelat” ndajnë vendin e parë bashkë me Liverpool në Premier League.
Sot do të ndeshen mes tyre në “Anfield”, finale e parakohshme për titullin kampion. Gjatë një prononcimi për Goal, Mourinho rikthehet pas në kohë, duke kujtuar sukseset e trofetë e shumta, teksa zbulon se çfarë nuk funksionoi kur ishte trajner i Manchester United.
“Ka pasur disa momente gjatë karrierës time ku nuk kam pasur nevojë për shumë kohë në dispozicion për të arritur suksese, kjo ka ndodhur në disa klube të ndryshme. Flas për Porton, Interin, Real Madrid dhe Chelsea. Kam fituar si trajner i këtyre skuadrave në një kohë të shkurtër.
United? Ishin klubi i parë ku e ndjeja se më duhej kohë për të fituar, por koha e nevojshme nuk m’u dha. E ndjeja veten të larguar në mes të procesit. Tani jam i lumtur, edhe ata janë të lumtur dhe raporti mes nesh është shumë i mirë.
Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos kur largohesh nga një klub. Me të gjithë ata që kam punuar kam një raport pozitiv, United është një tjetër shembull i kësaj gjëje.
Tottenham? E di llojin e punës që po bëj e duhet bërë, për momentin po argëtohem shumë. Jam i lumtur që jam pjesë e Tottenham dhe mendoj se në klub janë të lumtur që po punojmë me mua, kështu që e shoh veten për një kohë të gjatë këtu“, deklaron Mourinho. /abcnews.al