Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka akuzuar Kinën se po kryen një luftë të ftohtë tregtare për të minuar epërsinë e Shteteve të Bashkuara. Për CIA-n, rrezik përbën edhe ngritja e bazave ushtarake nga Pekini në disa ishuj të Detit të Kinës.
Kina po zhvillon një lloj lufte të ftohtë të heshtur. I këtij mendimi është Michael Collins, nëndrejtori i seksionit të posaçëm të CIA-s për Azinë lindore. Sipas Collins, Pekini nuk dëshiron një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, por po punon në heshtje në disa fronte për të minuar epërisnë e Amerikës.
Por, për zyrtarin e lartë, nuk është vetëm aspekti tregtar që ka rritur tensionet mes dy vendeve. Shqetësuese për Uashingtonin janë edhe përpjekjet e Kinës për të zbuluar sekretet tregtare dhe informacionet e kërkimit në sektorin e teknologjisë së Shteteve të Bashkuara, ka deklaruar Collins.
Për më tepër, Pekini po përforcon dhe modernizon aparatin e tij ushtarak dhe Amerika bashkë me disa vende të tjera kanë kritikuar vazhdimisht ngritjen e disa bazave ushtarake në disa ishuj në lindje të Detit Kinez.
Një ditë më parë, presidenti Donald Trump deklaroi se është i gatshëm të çonte në një tjetër nivel luftën tregtare me Kinën, duke vendosur tarifa për të gjitha produktet e eksportuara nga vendi aziatik, të cilat shkojnë deri në 500 miliardë dollarë. Deklarata e Trump erdhi pak përpara se raundi i ri i tarifave amerikane të hyjnë në fuqi./abcnews.al