Cristiano Ronaldo synon të bëjë histori edhe tek Juventusi. Ylli portugez dëshiron të mbetet sërish futbollisti më i mirë në botë.
Një tjetër fluturim i famshëm.
Nuk është një skuadër që kthehet nga Kupa e Botës, jo Franca apo Kroacia, por diçka tjetër, thuajse po kaq e rëndësishme.
Cristiano Ronaldo bëri udhëtimin drejt një epoke të re të madhe, ndoshta të fundit në karrierën e tij, për në Torino, tek Juventusi.
U prit mrekullisht, siç edhe e meriton, ndërsa u drejtua në klinikën mjekësore, ku kreu vizitat rutinë, por të domosdoshme shëndetësore.
Rutinë, jo vetëm sepse i kryen çdo futbollist, por sepse sforcimet duken modeste për një lojtar me një nivel të tillë fizik.
Nuk kaloi shumë dhe ish-ylli i Realit të Madridit, shkeli në Qendrën Sportive në Vinovo, ku u takua me trajnerin Masimiliano Allegri, si dhe me shokët e tij të ardhshëm.
Në sallën e konferencës për shtyp e prisnin gazetarë të shumtë, të mediave të shquara, nga shumë vende të botës.
Cristiano foli si përherë.
Cristiano Ronaldo: “Lojtarët e moshës sime zakonisht shkoj në Kinë apo në Katar, por unë nuk jam i tillë, megjithë respektin për kolegët. Unë jam ende i ri dhe dua të provoj sfida në jetën time. Për këtë arsye i jam shumë mirënjohës Juventusit, sepse ma dha këtë mundësi. Juventusi ishte i vetmi që më bëri propozimin e duhur, ndaj edhe pranova”.
Vëmendja e kampionit të Europës, me kombëtaren dhe klubet, tashmë është plotësisht tek Juventusi, dhe ambicia sërish maksimale.
Cristiano Ronaldo: “Nëntë vitet e mia tek Reali ishin të shkëlqyer, duke fituar gjithçka. Gjithsesi, tani duhet të mendoj për Juventusin dhe për karrierën time këtu. Dua që të tregoj se jam ende një lojtar i nivelit më të lartë, si përherë. Nuk është se duhet të tregoj se kush jam. Ju i dini statistikat e mia. Por unë jam shumë ambicioz, më pëlqejnë sfidat dhe ndoshta e fitoj sërish Topin e Artë, nëse gjërat shkojnë siç duhet”.
Tani fjala i mbetet fushës, aty ku Ronaldo nuk ka zhgënjyer kurrë, dhe ku shpreson të fitojë tituj të tjerë të mëdhenj kolektivë dhe individualë./abcnews.al