Pas më shumë se 24 orësh nga ekzekutimi i Artan Myrtajt në qendër të Sarandës, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Dy personat që qëlluan me armë zjarri 44-vjeçarin vijojnë të jenë të paidentifikuar, ndërsa hetimet dhe kontrollet janë shtrirë edhe jashtë qytetit bregdetar.
Në orët e para të mëngjesit, Policia e Tiranës, Policia e Vlorës dhe Forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në disa banesa në zonën e Kamzës. Mes tyre është kontrolluar edhe banesa e Ervis Lamajt, pasi Myrtaj rezulton i përfshirë në një ngjarje kriminale të vitit 2025, ku janë përfshirë persona të lidhur me Lamajn.
Lamaj nuk është gjetur në banesë dhe gjatë kontrolleve nuk janë konstatuar sende të paligjshme. Ndërkohë, në Sarandë janë kryer mbi 20 kontrolle në kuadër të hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Megjithatë, deri tani nuk është gjetur as motori me të cilin dyshohet se u larguan autorët dhe as armët e përdorura në krim.
Hetuesit ende nuk kanë një të dhënë të saktë për drejtimin në të cilin janë larguar ata pas atentatit. Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Rruzhdiut”, u qëllua me breshëri plumbash sapo doli nga një lokal në qendër të Sarandës. Dy persona me skafandra, që lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj tij.
Myrtaj tentoi të largohej me vrap, por u qëllua për vdekje. Në vendngjarje janë gjetur 13 gëzhoja, ndërsa sipas burimeve hetimore dyshohet se janë përdorur dy armë të ndryshme. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili po kalonte rastësisht në rrugë.
Ai u godit nga një plumb në shpinë dhe vijon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë. Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me konfliktet kriminale të vitit 2025. Myrtaj ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar, pas plagosjes me armë të Gëzim Hoxhajt dhe Ernest Lamës në Sarandë, një ngjarje për të cilën autoritetet dyshuan se kishte lidhje me një konflikt për prona në bregdet.
Pas asaj ngjarjeje, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera kriminale, përfshirë shpërthimin me tritol të automjetit të Klaus Jaçajt, vrasjen e babait të tij, Isuf Jaçajt, si dhe djegien e një lokali në Ksamil. Myrtaj ishte liruar vetëm pak javë më parë dhe ishte lënë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Për hetuesit, lidhja mes këtyre ngjarjeve mbetet një nga pistat që po verifikohet. Intensifikim të hetimeve kërkoi drejtori I përgjithshëm I policisë, ku ndër të tjera urdhëroi rivlerësimin e performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit të Sarandës. Sipas Policisë së Shtetit, në bazë të performancës do të ndërmerren edhe veprimet përkatëse.

