Shkup, Hahn përgëzon Maqedoninë

schedule11:53 - 17 Korrik, 2018

schedule 11:53 - 17 Korrik, 2018

Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, gjatë vizitës së tij në Shkup, përgëzoi Maqedoninë për reformat e kryera. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendumin për emrin e ri. Ndërsa kryeministri Zaev iu drejtua përsëri Rusisë, duke thënë se e ardhmja e Maqedonisë është vetëm në BE dhe NATO. Pasdite komisioneri Hahn do ketë takime në Tiranë me Presidentin Meta dhe kryeministrin Rama.

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn në vizitën e tij zyrtare në Shkup dha mesazhe shumë të qarta. Zyrtari i Bashkimit Europian fillimisht zhvilloi një takim me kryeministrin Zoran Zaev, dhe më pas ata dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Hahn theksoi se Këshilli i Evropës ka pranuar përparimin e Maqedonisë, ndërsa tani duhet që vendi të përgatitet për bisedimet me BE-në. Gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendumin për marrëveshjen me Greqinë dhe të vendosin për fatin e vendit.

Johannes Hahn: “Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në”.

Ndërsa Zaev u shpreh se Maqedonia ka arsye për të festuar për shkak të fillimit të fazës së parë të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike. Gjithashtu kryeministri iu drejtua Rusisë, duke thënë se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO. Ndër të tjera, Zaev njoftoi se kush do të drejtojë bisedimet me Brukselin.

Zoran Zaev: “Maqedonia përmes planit 3-6-9 ka arritur reforma në gjyqësor, administratë. Vitin e kaluar kemi shënuar dy suksese në fushën e fqinjësisë së mirë: marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë. Me Hahn kemi përcaktuar hapat e ardhshëm për procesin e skanimit për bisedimet me BE-në. Në seancën qeveritare Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi nxjerrë disa përfundime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçiç do të jetë këshilltar i veçantë”.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shkup, eurokomisioneri Hahn ka marrë pjesë në një seancë të qeverisë së Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!