Dizdari i Kushtetueses në vetting/ KPK: Kontakte me nipin e dënuar 

schedule13:15 - 12 Korrik, 2018

schedule 13:15 - 12 Korrik, 2018

Pastërtia e figurës dhe pasuria janë dy komponentët që mund të rrezikojnë në procesin e vettingut anëtarin e Kushtetueses, Gani Dizdari. Në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se Dizdari ka kontakte të papërshtatshme me nipin e tij të dënuar për “ndikim të paligjshem”. Ndërsa vajza e tij ka blerë me hua një apartament, tek huadhënës që nuk justifikonin paratë e dhëna.

Procesi i vettingut e gjeti anëtarin e Kushtetueses, Gani Dizdari, në vitin e tij të 45-të të punës në sistemin e drejtësisë, vetëm 6 muaj para daljes në pension. Mbyllja me nder e karrierës është në duart e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili gjatë seancës dëgjimore të së enjtes ngriti disa pikëpyetje jo të vogla.

Sipas Komisionit, gjyqtari Dizdari, që kishte zgjedhur të mos ishte i pranishëm në sallë, kishte kontakte të papërshtatshme me persona të inkriminuar. Sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar bëhej fjalë për kontakte të qëndrueshme me shtetasin Agron Lumneshi, nipin e tij, të dënuar për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Duke iu referuar sistemit TIMS Komisioni tha se përvec kontakteve rezulton se gjyqtari Dizdari ka kaluar disa herë kufirin shtetëror në automjetin e nipit të tij.

Avokati Sokol Hazizaj shpjegoi këtë kontakt me lidhjen familjare mes të dyve, pasi i dënuari ishte djali i motrës së Dizdarit. Sipas avokatit, vepra për të cilën ishte dënuar nipi i gjyqtari klientit të tij nuk bënte pjesë në gamën e veprave penale të sanksionuara për “kontaktet e papërshtatshme”.

“Klienti im ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë kur nipi i ka bere rekurs denimit te tij. Rekursi nuk i është pranuar, çka tregon se Dizdari nuk ka ndikuar duke lejuar zbatimin e ligjit”, tha avokati.

Sa i përket pasurisë, gjyqtari kishte marrë një raport pozitiv nga ana e ILDKPKI për deklarim të saktë dhe pasuri të justifikuar. Pasuria e deklaruar dhe e identifikuar e tij përbëhej nga një apartament banimi në Tiranë ku zotëronte 75%, një apartament në Lalëz dhe një tokë arë me në Mjull, Bathore. Ai ishte zotërues në masën 50 % të një apartamenti të blerë nga ish-bashkëshortja, si edhe zotërues i katër depozitave bankare. Sipas Komisionit gjyqtari kishte burime të justifikuara për këto pasuri, përveç një shumë te padeklaruar për kurimin e tij në Gjermani.

Problematike u konsiderua pasuria apartament në pronësi të vajzës së tij, blerë përmes tre huave në persona të afërt, kontribut nga babai dhe kursime vetjake. Bazuar në të dhënat tatimore, Komisioni vlerësoi se dy huadhënësit në shuma 36 mijë dhe dy nga 20 mijë euro nuk kishin burime financiare për to.

Problem u konsiderua edhe blerja e një “Mercedesi” në vitin 2010, i deklaruar si i blerë me paratë e siguruara nga shitja e mjetit të vjetër dhe një shtesë.

Hetimi i KPK kishte zbuluar se bazuar në kontratat noteriale, mjeti i ri ishte blerë para se të shitej i vjetri. Pretendimet u kundështuan nga avokati i gjyqtarit. Hazizaj tha se kishte paraqitur prova se huadhënesit kishin mundësi financiare për dhënien e huas pa interes, ndërsa blerja e mjetiti ishte bërë pas shitjes së të vjetrit, por data e kontratave ishte lapsus dhe papërgjegjshmëri e noterit. Për shumën e padeklaruar për kurimin në Gjermani, avokati tha se gjyqtari nuk kishte pasur dijeni pasi pagesa ishte bërë nga familjarët dhe nuk i ishte treguar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Pasi vlerësoi se të ardhurat ndër vite të Dizdarit i kalonin gjashtë herë shpenzimet e tij, avokati kërkoi konfirmim në detyrë të klientit.

Vendimi përfundimtar për fatin e gjyqtari Dizdari në sistemin e drejtëisë do të shpallet në 16 korrik./abcnews.al