Anglia dhe Kroacia luajnë sot në Moskë, për një vend në finalen e Botërorit ndaj Francës. Anglezët jepen favoritë, edhe pse kroatët kanë shumë besim tek vetvetja.
Kthimi pas suksesit ishte triumfal.
Kombëtarja kroate festoi kualifikimin ndaj Rusisë me këngë në gojë, edhe pse trajneri Daliç nuk i lejoi lojtarët e tij të rrinin gjatë zgjuar.
Ditën tjetër, ata nisën përgatitjen për gjysmëfinalen, për Anglinë.
Daliç ka mungesë të sigurt mbrojtësin Shime Vrsaljko të Atletikos, por portieri Subasiç pritet të jetë gati.
Skuadra e tij nuk jepet favorite, por trajneri është sfidues.
“Kroacia ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë në klubet më të mirë të Europës. Është e vërtetë që, në të kaluarën, nuk kemi pasur rezultate të mira në turne të tillë, por kjo duhet të ndryshojë. Nuk është habi që jemi mes katër më të mirëve të botës. Synojmë të fitojmë sërish”.
Mbrojtësi Dejan Lovren, lojtar i Liverpool-it, është përballë vendit ku luan.
“Nuk jam i informuar se çfarë po ndodh në Angli, pasi jam i përqëndruar tek puna jonë, dhe tek lajmet nga vendi ynë. E imagjinoj se çfarë entuziazmi duhet të jetë në Angli, me tifozët që presin të fitojë ekipi i tyre, ndërsa tifozët tanë presin të fitojë Kroacia. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë”.
Po Anglia, si i ka punët?
Kapiteni i dytë, Jordan Henderson, besohet se është gati, por kjo nuk mund të thuhet për sulmuesin Jamie Vardy.
“Ne erdhëm në Rusi për t’u kënaqur me futbollin tonë. Ishim një nga skuadrat me moshën më të re. Nuk bëmë parashikime se deri ku mund të shkonim, por gjithçka e kemi merituar dhe jemi përmirësuar. Përballuam çdo vështirësi dhe shpresojmë të fitojmë sërish”.
Henderson u pyet sesa ndihet presioni për të fituar për herë të parë nga 1966-ta.
“Jemi të përqëndruar te ajo që duhet të bëjmë, dhe jo tek statistikat. Anglia ka pasur probleme për shumë kohë, por neve na takon të ecim përpara, t’i marrim ndeshjet njërën pas tjetrës. Nuk ia vlen ta vendosim veten nën presion”./abcnews.al