Siç e theksojnë me të drejtë mediat spanjolle, u dha një mesazh. Spanja, kampione e botës, e nisi me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, dhe me çfarë suksesi.
Në një tempull të futbollit si “Wembley” i Londrës u arrit triumfi 3-2 ndaj Anglisë vendase, e pra ndaj njërit prej rivalëve më të fortë në rruzull sot për sot.
“Furitë e Kuqe” përfituan nga gabimet e “tre luanëve”, patën klasin e madhe, ndonjëherë ishin pa fat, por edhe duhet të falenderojnë kapitenin kundërshtar, Harri Kejn.
Lamin Jamal shënoi golin e parë, pastaj u humbën shumë raste, dhe kjo I dha mundësi Anglisë të merrte një epërsi të pamenduar 2-1, pasi realizuan Gordon e Kejn.
Gjithsesi, kthesa e sfidës ishte kur Kejn humbi penalltinë për 3-1 në pjesën e dytë, dhe Spanja nuk pati nevojë për dhurata të tjera.
Në një përballje thuajse të barabartë, me pak më shumë gjuajtje e zotërim topi nga miqtë dhe me më shumë këmbëngulje në zonë nga anglezët, Aleks Baena dhe Ojarzabal firmosën fitoren.
“Spanja shkakton panik, – është titulli I gazetës madrilene, “Marka”, – Kampionia e botës dha një mesazh në “Uembli” që është e pathyeshme”!
“Shkëlqimi I duhur, – komenton e përditshmja “AS”, edhe kjo nga kryeqyteti, – Spanja nderon fanelën e saj si kampione e dyfishtë e botës me përmbysje në “Uembli”! Ojarzabal firmosi për 2-3!”
“El Mundo Deportivo” titullon: “Të kuqtë zbusin “Uemblin”! Kampionët e botës arritën një fitore prestigji në tempullin londinez! Lamin hapi llogarinë!”
Ja edhe “Sport” po nga Katalonja: Festival në “Uembli! Kampionët e botës përmbysën Anglinë në një ndeshje vërtet të madhe, dhe ditën të vuanin për t’ia dalë!”
Spanja e nisi Ligën e Kombeve njësoj siç përfundoi Botërorin, me fitoret e mëdha e të merituara në gjysmëfinale ndaj Francës dhe në finale kundër Argjentinës.

