Sot në Shqipëri u vendos rekord viktimash nga koronavirusi, pasi sëmundja mori 17 jetë, si asnjëherë më parë. Në komentet e shumta në rrjetet sociale, rritja e shifrave të fataliteteve po lidhet me ditën që Lulzim Basha denoncoi se po fshihet numri i viktimave nga koronavirusi, gjë që qeveria dhe mjekët e mohuan.
Por çfarë ka ndodhur?
Nga e hëna e kaluar në ditën e sotme, janë 93 pacientë që e kanë humbur luftën me sëmundjen. Kurba e fataliteteve ka ardhur në rritje prej së premtes së kaluar dhe rekordin e vendosi sot. Nga e hëna deri në ditën e enjte të javës së kaluar shifrat e fataliteteve ishin nga 6 deri në 11 viktima, por të premten numri kapërceu në 15 humbje jete.
Në analizën një javore, nga e hëna në të enjte ishin 34 viktima, ndërsa nga e premtja në të hënë, pra deri sot janë 59 viktima, 25 humbje jete më shumë nga dita e denoncimit të PD-së.
E premtja e javës së kaluar kur numri kapërceu në 15 viktima brenda 24 orëve përkon me ditën e parë të përditësimit nga ministria e Shëndetësisë pas denoncimit të Lulzim Bashës se numri i viktimave nga koronavirusi është fshehur nga qeveria.
Por cfarë thonë ekspertët?
Ekspertët thonë se për aq kohë sa numri i të infektuarve me koronavirus ka ardhur në rritje eksponenciale, edhe numri i vdekjeve do jetë i tillë. Me stabilizimin e numrit të rasteve, dy javë më pas, do stabilizohet edhe numri i vdekjeve. Pra, kur të bjerë numri i rasteve ditore me koronavirus, dy javë më pas, do të bjerë edhe numri i vdekjeve nga Covid-19.
Shifrat e javës së fundit
E hënë, 16 Nëntor-8 viktima-602 të infektuar
E martë, 17 Nëntor-6 viktima-694 të infektuar
E mërkurë 18 Nëntor-9 viktima-711 të infektuar
E enjte 19 Nëntor-11 viktima-786 të infektuar
E premte 20 Nëntor-15 viktima-836 të infektuar
E shtunë 21 Nëntor-13 viktima-737 të infektuar
E diel 22 Nëntor-14 viktima-565 të infektuar
E hënë 23 Nëntor-17 viktima-795 të infektuar
db/Abcnews.al



