Lideri demokrat Lulzim Basha i kërkoi pasditen e sotme prokurorisë që të veprojë urgjentisht, pasi kryeministri Edi Rama, sipas tij, do të shkatërrojë provat, “që vërtetojnë që numri real i vdekjeve nga koronavirusi është fshehur”.
Pas takimit me ministrin e Jashtëm italian Di Maio, kryedemokrati tha se rivali i tij politik nuk le moment pa dalë në media dhe fakti që përgjigjen për debatin për numrin real të viktimave nga koronvirusi e shtyu për nesër, i druhet se dicka po ndodh sonte.
“Prokuroria të sekuestrojë urgjent provat në morgun e spitalit. Denoncimi erdhi nga personeli me integritet. Të dhënat janë aty, cfarë pret prokuroria që t’i maniupulojë Rama? Ky njeri që nuk le konferencë pa dalë, pse duhet deri nesër të dalë, që të marrë kohë që të manipulojë të dhënat? Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë politike.
Thirrja ime për prokurorinë është që të mos lejoni të manipulohen provat. Nga denoncimi deri te konferenca që do të bëjë nesër kryeminsitri nuk mund të jetë gjë tjetër veç momenti i manipulimit të provave. Veproni prokurorë, provat janë në morg” tha ai.
Megjithatë, Basha tha se cfarë do që të bëjë Edi Rama, ai ka kopjet e listave. “Ne kemi kopjet tona me emër dhe mbiemër. Ky njeri që nuk lë minutën për të dalë në Facebook, pse nuk doli, e shtyu për nesër se këtë kohë për të dalë deri nesër po e përdor për të shkatërruar të vërtetën” tha ai.
Por si nisi debati?
Mbrëmë ishte Lulzim Basha që akuzoi qeverinë se fshehu numrin real të viktimave nga koronavirusi. Por Edi Rama e cilësoi akuzën të pashembullt, rivalit të tij politik i tha se “e kalove cakun”, ndërsa njoftoi se për këtë çështje do të flasë nesër.
Drejtoresha e spitalit Infektiv, Najada Çomo së bashku me mjekët e tjerë përmes një deklarate mëngjesin i mohuan, duke i cilësuar të pavërteta deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha se është fshehur numri real i vdekjeve nga koronavirusi në Shqipëri. Mjekët, thanë se këto deklarata janë goditje për ta në këtë periudhë të vështirë, ndërsa “kërcënojnë” se nëse akuzat do të përsëriten do i drejtohen prokurorisë, që të hetojë.
Po prokuroria?
Prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim për pretendimet e liderit të opozitës se spitalet po fshehin numrin e të vdekurve nga Covid 19. SPAK i tha ABC News se nuk ka kompetencë të hetojë në të tilla çështje, ndërsa Prokuroria e Tiranës thotë se ende nuk është regjistruar një procedim i tillë pas akuzave publike të Lulzim Bashës./ db/Abcnews.al


