Administratori i Vllaznisë, Benjamin Naku ka vendosur të thotë versionin e tij në lidhje me debatin që ndodhi mes tij dhe Alban Xhaferit, sponsorit të klubit shkodran para nisjes së takimit të Kupës së Shqipërisë ndaj Elbasanit. Emri i Xhaferit nuk ndodhej në listën e personave që lejoheshin të futeshin në stadiumin “Loro Boriçi”, policia bashkiake e pengoi dhe mes tij e Nakut nuk mungoi toni i lartë dhe tensioni.
“Që nga dita e ndeshjes Vllaznia-Elbasani, e zhvilluar në Shkodër më dt. 13.11.2020, ndaj personit tim, media të ndryshme kanë përcjellë një ngjarje tërësisht të deformuar nga e vërteta. Thelbi i asaj që kanë përcjellë mediat është sikur unë, në cilësinë e administratorit të “KF Vllaznia” sh.a., paskam tentuar të ndaloj hyrjen në Stadiumin “Loro Boriçi”, të sponsorit në partneritet me KF “Vllaznia”, z. Alban Xhaferi. Gjatë këtyre ditëve kam zgjedhur të hesht, koshient se zhurma nuk i shërben klimës dhe imazhit të KF “Vllaznia”.
Por, duke parë se ngjarja e pretenduar vazhdon të përdoret për të cënuar mbarëvajtjen e punës në KF “Vllaznia”, ndjehem i detyruar të sqaroj opinionin sportdashës të Shkodrës dhe më gjërë për ngjarjen e plotë dhe të vërtetë: Me dt. 13.11.2020 në Stadiumin “Loro Boriçi”, zhvillohej ndeshja e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia-Elbasani. Për shkak të pandemisë, protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të FSHF-së, nuk lejojnë që ndeshjet të zhvillohen me spektatorë.
Klubet organizatore të ndeshjeve janë të detyruara që të depozitojnë në Policinë e Shtetit emrat e jo më shumë se 10 personave për secilin ekip (drejtues, pjesë stafesh, apo lojtarë) që kanë të drejtë ta ndjekin ndeshjen nga tribuna dhe i gjithë procesi i hyrje-daljeve në stadium menaxhohet nga Policia e Shtetit.
Natyrisht që emri i sponsorit, Alban Xhaferi, ishte përfshirë në listën e personave të lejuar të ndiqnin ndeshjen (faximile si më poshtë, si dhe e botuar në gazetën “Panorama Sport”, dt. 14.11.2020). Gjatë procesit të hyrjes së personave të lejuar për të ndjekur ndeshjen, kam parë një nga punonjësit e Policisë së Shtetit të komunikonte me Z. Xhaferi.
Në këtë moment jam afruar dhe i kam kërkuar punonjësit të Policisë së Shtetit të shikonte listën, pasi në të gjendej emri i sponsorit. Më pas gjithçka është zgjidhur dhe s’ka pasur asnjë incident të pretenduar ndërmjet meje dhe z. Xhaferi. E gjitha kjo mund të vërtetohet lehtësisht edhe nga kamerat e sigurisë dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të pranishëm në këtë situatë“, përfundon Benjamin Naku. /abcnews.al