Javier Mascherano, një nga lojtarët më të suksesshëm të Argjentinës dhe jo vetëm, ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur. Mesfushori difensiv së fundmi ishte pjesë e Estudiantes në Argjentinë dhe kishte firmosur kontratë deri në qershor, por në fund u vendos të anulohej gjithçka.

36-vjeçari ndjeu se nuk ka më për të dhënë në futbollin aktiv dhe ndërpreu kontratën e tij, duke njoftuar njëkohësisht edhe tërheqjen nga futbolli i luajtur. “Ju njoftoj se sot jap dorëheqjen nga futbolli profesionist. Falënderoj Estudiantes që më dha mundësinë të tërhiqem në Argjentinë”, u shpreh Mascherano.
Gjatë karrierës së tij ish-mesfushori ka fituar dy Champions League me Barcelonën (2011, 2015), klub me të cilin korri edhe sukseset më të mëdha në karrierë. Ai fitoi pesë herë La Ligan, tre herë Kupën e Mbretit, po aq Superkupën e Spanjës dhe fitoi tre Kupa Bote për klube.

Mascherano në fillimet e tij ka luajtur me River Plate dhe debutimin në Europë e bëri me West Ham. Më pas ai kaloi te Liverpoool dhe u bashkua me Barçën në verën e vitit 2010. Ai u largua nga katalanasit në verën e 2018-ës te Hebei China Fortune. /abcnews.al



