Sponsori i ri i Vllaznisë, Alban Xhaferi ka reaguar pas ngjarjeve të fundit me anë të një postimi në rrjetet sociale. Kuqeblutë po ecin shumë mirë në fushën e blertë, Brdaric ka në duar një skuadër të fortë, teksa Xhaferri kërkon një akord të ri me Bashkinë Shkodër, akoma pronarja kryesore e klubit të famshëm të futbollit shqiptar.
Po punojmë me shumë përkushtim, ndonëse në një situatë aspak normale dhe periudhë të shkurtër për të dhënë asistencën tonë në përmirësimin e menaxhimit të KF Vllaznisë në misionin e përbashkët për Rikthimin drejt Suksesit.
E çmoj të domosdoshme që të ndaj me ju tifozët dhe sportëdashësit e mrekullueshëm se ridimensionimi i marrëdhënies me Bashkinë Shkodër është nevojë urgjente! Ka probleme të thella që nevojiten të adresohen në mënyrën e duhur për të rritur eficencën dhe performancën e KF Vllaznisë, jo vetëm në aspektin sportiv por edhe në aspektin administrativ.
Këto të dyja duhet të shkojnë paralelisht në të njëjtën linje. Sigurisht që vullneti i palëve është esencial në këtë pikë dhe mirëpres përpjekjet e anëtareve të Këshillit Bashkiak, si mbështetje e padiskutueshme ndaj një procesi të ri.
Shpreh gatishmërinë për të marrë të gjitha përgjithësitë që rrjedh nga një marrëveshje e re që garanton rrugën pa kthim drejt suksesit të KF Vllaznisë. Sigurisht që një Vllazni e fortë do të thotë jo vetëm performancë e shkëlqyer sportive, por edhe administrative në të njëjtën kohë.
Falë mbështetjes që më keni dhënë gjithë këtë periudhë, jam i bindur që puna, sakrifica, përkushtimi dhe ndershmëria nuk do të mungojnë asnjëherë për të rikthyer tek Suksesi emrin që na bashkon, VLLAZNINË. Me ndihmën e Zotit, së bashku do ia dalim”, shkruan Xhaferi. /abcnews.al