Emmanuel Egbo u shkarkua ditën e djeshme nga drejtimi i Tiranës. Sigurisht që është i mërzitur, edhe pse trajneri nigerian deklaroi se e priste një vendim të tillë. 47-vjeçari ia doli të rikthente bardheblutë te titulli kampion sezonin e kaluar, pas një mungese prej 9 viteve.
Gjithsesi aventura e tij në pankinën e 25 herë kampionëve të Shqipërisë, mori fund ditën e djeshme pas humbjes 0-1 me Korabin dhe eliminimit nga Kupa e Shqipërisë. Egbo, nëpërmjet një lidhje direkte në rrjetet sociale, tregohet mirënjohës ndaj tifozëve bardheblu dhe klubit kryeqytetas.
“Është kënaqësi e madhe dhe jam mirënjohës për mbështetjen që të gjithë tifozët e Tiranës kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ekipin, për mua më i madhi në Shqipëri. E kam thënë gjithmonë, jeni lojtari i 12-të i ekipit. Keni qenë pjesa më e rëndësishme, bashkë me Zotin dhe çunat, për fitimin e kampionatit sezonin e kaluar, që ishte diçka shumë e veçantë.
Unë po pres të futen më shumë njerëz, më pas do të nis e të tregoj pse e bëra këtë lidhje direkte sot. Po e bëj vetëm për të falënderuar ata që na kanë mbështetur si ekip dhe ata që më kanë mbështetur mua si trajneri i Tiranës, 25 herë kampione e Shqipërisë.
Nuk jam këtu për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, jam këtu vetëm për të falënderuar klubin, nga presidenti e të gjithë punëtorët e Tiranës. Këtu përfshihen edhe lojtarët që dolën kampionë sezonin e kaluar. Për gjërat e tjera, nuk dua të merrem sot. Falënderoj të gjithë tifozët e Tiranës.
E di dhe shpresoj të vazhdoni të mbështesni ekipin tuaj të zemrës. Nuk është se jam befasuar nga komentet pozitive që keni bërë pas shkarkimit tim. E rëndësishme është që ky klub është më i madh se çdo njeri. Kurrë nuk do të them lamtumirë, nuk kam për të folur asgjë të keqe për këtë klub.
Ngelem ai Emmanuel Egbo që keni njohur, që kur kam ardhur si lojtar te Tirana e deri tani. Oferta si asistent i kombëtares së Nigerisë? Është vendi im, origjina, është si thirrje për shërbim ushtarak që do e bëjë çdo kush. Do isha gati t’i jepja një shërbim vendit tim, pse jo. Oferta normale që kam pasur dhe do të ketë.
Ndeshjet e paharrueshme? Ka shumë ndeshje të tilla. Sezonin e kaluar ishte ndeshja ndaj Partizanit ku fituam 2-1 pas 6 vitesh, kjo ka qenë një nga ndeshjet më të bukura dhe më emocionale. Po ashtu edhe fitorja 5-1 në derbi, por edhe fitorja ndaj Kukësit ku arritëm të dilnim në vend të parë. Shpresoj që Tirana të fitojë kampionatin, por ka edhe shumë skuadra të tjera në luftë për titullin“, deklaron afrikani. /abcnews.al