Futbolli i dha fund bojkotit pas premtimit te kryeministrit Rama mbi plotësimin e katër kërkesave të ligës profesioniste. Megjithatë në horizont nuk ka ende dritë dhe asnjë lëvizje qoftë minimale nga ana e shtetit.
A rrezikon futbolli një mbyllje të dytë, jo prej pandemisë, por prej fjalës që nuk po mbahet? Kanë kaluar dy jave prej fundit të bojkotit, por nga qeveria nuk ka asnjë indicie apo vullnet mbi premtimet për t’i dhënë zgjidhje kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit.
Ndryshimet ligjore në sport janë parashikuar të kalojnë në parlament për amendime brenda muajit dhjetor. Në takimin e fundit të kryeministrit Rama, në zyrën e kryeministrisë, me krerët e klubeve të Superiores, u premtua se brenda një jave do të faleshin të gjitha kamatëvonesat e klubeve, por ende nuk ka asnjë veprim konkret.
Krerët e klubeve tashme janë në konfuzion të plotë, por me sy e veshë nga shteti që ka premtuar zgjidhjen e ngërçit dhe lehtësimet financiare mbi sportin. Presidenti i FSHF, Armand Duka pas marrjes se çmimit nga UST, iu përgjigj interesit të gazetarëve pikërisht për këtë temë.
“Si natyrë e shoh gotën gjysmë plot dhe dua ta shoh të tillë. U besoj premtimeve”, tha Duka shkurtimisht. Më tej, një zë i fuqishëm për plotësimin e katër kërkesave nga ana e qeverisë, presidenti i klubit të Apolonisë, Kocco Kokëdhima dhe opinionin e tij për situatën aktuale, megjithëse mekanizmat shtetërore kanë patur të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të ndërmarrë hapa konkret. “Ne i besojmë fjalës, kështu që presim që fjalët të përmbushen”, shprehet Kokëdhima.
Tashme në futbollin shqiptar janë ezauruar dy javët e para te superiores si dhe turi i parë i kupës së Shqipërisë. Topi nisi të rrotullohej sërish ndikuar nga fjala e kryeministrit Rama, i cili premtoi plotësimin e kërkesave të ligës, ndërkohë që koha kalon dhe në horizont nuk ka ende dritë. /abcnews.al