Vllaznia kryeson kampionatin pas dy javëve të para, por kjo nuk e bind Sulejman Starovën se shkodranët mund të kenë si objektiv minimal kupat e Europës. Drejtuesit, por edhe Eni Imami mbrëmë në emisionin “Pressing” në ABC, janë treguar të qartë në lidhje me atë që synojnë.
Për Starovën, ky objektiv do ta vinte në presion Vllazninë, ndaj duhet që fillimisht të mendojnë për mbijetesën. Fjalët e Starovës nuk janë pritur mirë në Shkodër dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, ka reaguar ndërkohë që ndiqte emisionin.
“Me keqardhje konstatoj që përfundimisht suksesi ose ecuria e mirë e Vllaznisë, disa specialistëve nëpër studio televizive i shkakton një histeri që i kalon limitet. Por të jeni të sigurt e krejtësisht të vetëdijshëm se këto ‘parashikimet’ tuaja do të na bëjnë shumë herë më të fortë.
Mendimi jot i nderuar Starova nuk është busull që orienton njerëzimin, e aq më pak Shkodrën e Vllazninë. Të sugjeroj të korrigjohesh sepse me këtë sjellje prej racisti nuk bën asgjë tjetër vetëm se shfrytëzon minutat tuaja televizive në mënyrën më të keqe të mundshme karshi një ekipi dhe një qyteti që nuk ja ul as nuk ja çon vlerat ti, as soji yt.
Forca çuna, se jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin gjatë rrugës. JEMI VLLAZNIA”, shkruan Lekiqi, në llogarinë e tij në “Facebook”, ndërkohë që pajtohet me të përmes një “like” edhe sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi. /abcnews.al