Ndonëse raundi i fundit i bisedimeve Kosovë-Serbi nuk shënoi ndonjë arritje konkrete, ne Beograd shpresat për një zgjidhje paqesore të kontestit mes dy vendeve janë të mëdha. Lidershipi politik serb i bën thirrje Prishtinës të respektojë gatishmërinë për dialog.
Serbia e ka pritur pozitivisht vazhdimin e dialogut me Kosovën. Kësaj radhe duket se shpresat janë konsideruar më të mëdha. Një fillim I ri për zgjidhjen e problemit. Zyrtarë të ndryshëm serb e kanë vlerësuar dialogun duke i shprehur mbështetjen presidentit, Alleksandar Vucic, për vazhdimin e tij. Kryeministrja, Ana Brnabic, i ka vlerësuar bisedimet si të vështira, por mbështetje të plotë të kabinetit të saj.
Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë: “Nuk dua që gatishmëria jonë për kompromis të konsiderohet si dobësi. Ajo është tregues i fuqisë dhe seriozitetit të Serbisë. Qeveria do ta mbështesë plotësisht presidentin”.
Zorana Mihajloviç, zëvendëskryeministre: “Gjëja e parë që duhet theksuar këtu është fakti që çdo problem do të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe kjo është e rëndësishme të respektohet edhe nga Prishtina. Të vazhdojmë dialogun edhe në të ardhmen”.
Analistët vlerësojnë se takimet e fundit kanë ulur tensionet pas disa muajsh konflikte përmes deklaratave politike.
Aleksandra Joksimoviç, Qendra për Politika të Jashtme: “Pas marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë fokusi i Bashkimit Evropian do të jetë tek problemi i Kosovës, si një kriter i rëndësishëm për progresin e rajonit drejt BE-së”.
Në Serbi presin që bisedimet te jenë më intensive drejt marrëveshjes përfundimtare. /abcnews.al
Gazetar: Idro Seferi