Teuta “macja e zezë”, Egbo: U ndëshkuam nga një episod, shpërdoruam shumë

schedule16:26 - 8 Nëntor, 2020

schedule 16:26 - 8 Nëntor, 2020

Fitorja 2-0 ndaj Kukësit mesjavën e kaluar, krijoi entuziazëm te Tirana, por sot erdhi humbja përballë Teutës së Edi Martinit. Kampionët në fuqi të Shqipërisë, u mposhtën 0-1 nga ekipi bregdetar, që konfirmohet si “macja e zezë” e Tiranës.

Emmanuel Egbo foli gjatë në deklaratën e dhënë për Supersport, duke analizuar humbjen e sotme. Trajneri nigerian u ndal edhe te lojtarët e ekipit të tij dhe formacioni me të cilin nisi takimin.

Një episod vendosi. Pësuam gol me goditje standarde dhe merr rrjedhë tjetër loja. Jam i kënaqur si reagoi ekipi. Kishim përballë një ekip si Teuta, që ka bërë merkato. Janë më të konsoliduar, por diferenca u bë në një episod. Loja më pas foli për ne, por nuk i konkretizuam rastet. Nëse barazonim shpejt, edhe mund të fitonim. Nuk do ishte çudi. Me kalimin e minutave shtohej tensioni”.

“Toli dhe Vrapi nuk luajtën keq. Ndryshuam sistemin e lojës, ishte lëvizje e detyruar. Kaluam Cobbinah dhe Danso si anësorë. Jam i kënaqur me shumicën e lojtarëve, sidomos me luftën sportive. Duhet të mësojmë nga gabimet e bëra, sikurse te goli nga goditja standarde. Nuk ishim shumë të përqendruar. Nuk është sinjal alarmi, sa ka nisur kampionati. Do bëhet kampionat shumë i fortë. Ekipet që ishin në Europë kanë kontingjente të mirë. Do jetë kampionat i vështirë për të gjithë”.

Formacionin e vendos në fillim. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, Futjen e Bathës e menduam mirë. Torassën e sqaruam. Në Korçë sulmi punoi mirë dhe menduam të mos ndryshojmë. Kemi diskutuar diçka edhe mes nesh, që nuk e themi. Torassa dhe Batha janë të rëndësishëm, madje të gjithë. Nëse luftojmë si grup do ecim mirë. Si individë nuk ecët përpara. Ata që janë në stol e tribunë i mbështesin titullarët”.

“Ndeshjen e humbëm me një episod. Kupën dhe Superkupën e dimë si kanë shkuar. Sot u vendos me një episod. Krijuam raste dhe nuk shënuam dot. Janë gjëra që ndodhin, por duhet të mësojmë. Ata janë ekip agresiv, janë acarues, të vonojnë lojën.  Nëse shënojmë të parët, atëherë mund të realizojmë edhe të tjerë gola”, përfundoi Egbo. /abcnews.al