Mustafa: Duhet të mbështesim njerëzit tanë në Speciale, nuk jam i interesuar kush bëhet president

schedule14:48 - 8 Nëntor, 2020

schedule 14:48 - 8 Nëntor, 2020

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk është i interesuar në lidhje me postin e presidentit të ri në Kosovë, ajo që ka interes për të në këto momente është mbështetja ndaj atyre që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale.

Mustafa thotë se duhet bërë një platformë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar luftën e pastër të UÇK’së dhe për të rikujtuar krimet e Serbisë në Kosovë.

Jam i gatshëm që në këtë kohë të bisedoj me të gjithë, se si të organizohemi e ti mbështesim njerëzit tanë që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale, të kujdesemi për mbrojtjen e tyre, sepse ata tani janë vetëm të dyshuar ndërkaq vetëm procesi gjyqësor mund të vërtetojë fajësinë e tyre, të bëjmë një platformë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar dhe rikujtuar luftën e pastër të UÇK-së dhe krimet e kryera serbe në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa, për mediat në Kosovë.

I pyetur për deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se nëse nuk bëhet ai President, duhet të shkohet në zgjedhje, Mustafa thotë se nuk është aspak i shqetësuar për këtë post.

Fare nuk jam aktualisht i brengosur se kush ka qejf të bëhet President i Kosovës apo të lozë rolin e Presidentit. Jam i brengosur për situatën e rëndë dhe të trishtë në të cilën ndodhemi dhe për nevojën që të bëhemi bashkë në interes të vendit”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK-së ka deklaruar se ka biseduar në telefon me kryetarin e ri të PDK’së, Enver Hoxhajn. Ai thotë se me Hoxhajn nuk kanë biseduar për postin e Presidentit.

“Nuk jam takuar me z. Enver Hoxhaj. Kam biseduar në telefon me te për situatën e krijuar. Nuk kemi biseduar për President dhe as për qeverisje”, ka deklaruar Mustafa.

Të enjten e kaluar, Presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje duke u larguar për në Hagë ku do të përballet me akuzat për krime lufte nga Gjykata Speciale. Atje shkoi edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Ndërkohë, në Kosovë, ushtruese e detyrës së Presidentes është bërë Vjosa Osmani, një përkrahëse e Kurtit, e cila ka favorizuar qëndrimet e Vetëvendosjes prej se është prishur koalicioni LDK-VV./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!