Policia përfundon numërimin, 3.5 mln euro të sekuestruara në Durrës

schedule08:39 - 25 Qershor, 2018

schedule 08:39 - 25 Qershor, 2018

Policia ende nuk ka gjetur pronarin që ka porositur Toyota-n brenda së cilës u gjetën rreth 3.5 milionë euro. Pronari i kamionit që transportonte makinat ka dëshmuar se porosia e makinës ishte bërë nga një biznesmen kosovar, por pa dhënë emrin e tij.

Ka përfunduar numërimi i eurove që u kapën pasditen e dielë në një makinë në Portin e Durrësit, e cila kishte mbërritur nga Ankona. Sipas Policisë së Durrësit, shuma e bllokuar është 3 milionë e 470 mijë Euro.

Kjo valutë u gjet në makinën tip Toyota Yaris, e cila ndodhej në mesin e disa makinave të tjera në një kamion që transporton mjete. Dyshohet se këto para janë të siguruara nga rrugë kriminale dhe që vinin në Shqipëri për t’u pastruar.

Në të njëjtën kohë, policia pasi i mori në pyetje ka ndaluar pronarin e kamionit që transportonte makinat Edi Likën, djalin e tij, Klevis Likën, bashkë me shoferin Agim Ceka, 61 vjeç.

Në dëshminë e tij, Lika ka deklaruar se nuk kishte asnjë dijeni për prezencën e shumës së eurove të gjetura brenda tyre. Ai ka thënë se makinat po i transportonte për llogari të një biznesmeni nga Kosova, por pa dhënë emrin e tij.

Edhe djali i tij i vogël bashkë me shoferin Ceka kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera.

19-vjeçari Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha Shkurt-Qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.

Kurse 61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë.

Grupi hetimor vijon punën për zbulimin e personave që kanë porositur automjetet, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.  Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga prokuroria për llogari të hetimeve./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!