Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga aktet e dhunës, djegiet dhe sulmet ndaj punonjësve të Policisë, duke paralajmëruar se çdo person që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi individuale.
Në një reagim zyrtar, Policia shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës ndaj efektivëve dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike dhe private.
Policia u kërkon protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lejojnë që tubimi të përdoret si mbulesë për veprime të dhunshme dhe shkatërruese.
“Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Policia e Shtetit rikujton se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burg për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Sipas Policisë, aktet e dhunshme dhe zjarrvëniet përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë e pronës publike e private.
Në përfundim, Policia u bën thirrje protestuesve të largohen nga personat që kryejnë akte dhune dhe të mos përfshihen në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve.
“E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj”, thekson Policia e Shtetit, duke nënvizuar se çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri.


