Mbrëmjen e sotme Tottenham do të luajë në transfertën e Ludogorets, ku do të përpiqet që të rikthehet te fitorja pas humbjes së javës së kaluar me Antwerp në Europa League. Trajneri i londinezëve, Jose Mourinho, është shprehur pozitiv për këtë sfidë në konferencën e zakonshme përpara duelit, ku ka folur dhe për vetën e tij. Portugezi bëri një koment dhe për renditjen e Tottenham në Premier League, pasi ata tashmë renditen në vendin e tretë, vetëm dy pikë larg Liverpool të vendit të parë.
“Nuk e kam humbur pasionin tim. Tashmë kam më shumë eksperiencë dhe i kontrolloj më mirë emocionet”, shpjegon portugezi, i cili ka patur një nisje jo të balancuar të sezonit. Kujtojmë këtu barazimet në minutat e fundit në shtëpi kundër West Ham dhe Newcastle, apo dhe humbja në Europë më modestët e Antwerp.
“Renditja e Premier League? Është diçka e bukur. Nuk kemi pse ta fshehim se gjithmonë e kontrollojmë tabelën e klasifikimit dhe shikojmë veten se ku jemi. Nëse shikoni me kujdes, do të kuptoni se kreu i renditjes nuk do të thotë asgjë sepse kampionati është shumë kompakt. Por nëse shikoni dhe ju jeni në një nga vendet e para, atëherë kjo do të thotë shumë”, përfundon Mourinho. /abcnews.al

