Italia është përfshirë në protesta për shkak të masave të vendosura kundër Covid-19. Qindra protestues kanë dalë në rrugët e shtetit fqinj për t’u thënë jo masave shtrënguese të vendosura së fundmi nga qeveria e vendit, dhe madje situata është tensionuar në disa vende.
Një ndër artistët që i është bashkuar protestave paqësore në shtetin fqinj është dhe baritoni Gëzim Myshketa, i cili në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit” shpjegoi dhe arsyet pse iu është bashkuar qytetarëve të cilët kundërshtojnë këto masa.
“Dua që të jem afër atyre kategorive që po e vujanë dhe ekonomikisht këtë situatë. Aktiviteti është penalizuar që nga marsi i këtij viti ndaj më dukej normale që të bashkohesha dhe me kategoritë e tjera. Kam bërë detyrën minimale si çdo qytetar duhet të bëjë për veten dhe dhe për të tjerët. Teatrot e Operas kanë zbatuar me përpikmëri një protokoll të jashtëzakonshëm.
Çdo tre poltrona ndodhej një person, futeshin dhe dilnin me maskë nga spektakli i reduktuar. Teatri mbante vetëm 500 veta pra 1 të tretën dhe karriket kishin peçikllas. Ajo që nuk kuptojmë është se pse duhet penalizuar pikërisht ai ambient kulturor që për mendimin tim do të ishte një shembull. Gjithashtu dhe fakti që të dhënat tregojnë se 350 mijë që kanë marrë pjesë në spektakle teatrale ka patur vetëm 1 të infektuar.“, tha ndër të tjera ai. /abcnews.al

