Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta pas kërkesës që ky i fundit bëri që të rivlerësohen masat e marra për parandalimin e Covid-19. Rama i drejtohet presidentit se nuk ka kompetenca të fusin hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore.
Ai i kujton kreut të shtetit se nuk duhet të dalë pa maskë nga shtëpia dhe të mos të bëjë thirrje kundër mbajtjes së saj. Rama shprehet se ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë, ndërsa shton se rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe se duhet shmangur me çdo kusht një mbyllje e re.
“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!
Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit.Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!
Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!”, shkruan Rama./mv. abcnews.al

