Abc News mëson se francezi që u shoqërua nga drejtoria e policisë së qarkut Lezhë mbrëmjen e djeshme është lënë i lirë pas dëshmisë që ka dhënë në lidhje me velierën që u gjet e braktisur në Patok në datë 17 tetor dhe u sekuestrua nga policia kufitare.
Gazetari i Abc News në Lezhë Gjergj Figuri ka zbardhur dëshminë që francezi ka dhënë përpara hetuesve, por që ende shumë pyetje mbesin pa përgjigje.
“Veliera është e imja. Kam qenë duke udhëtuar nga Greqia në Malin e Zi, ndalova për të takuar disa miq, pata probleme me karburantin dhe e lash aty” mësohet se është shprehur ai, ndërsa në breg ka dalë i ndihmuar nga një gomone.
Pas dëshmisë francezi u la i lirë. Në gjurmët e tij policia arriti nga dokumenti që gjeti brenda në bord duke e gjetur më pas në Lezhë dhe shoqëruar. Mister është fakti se përse francezi nuk iu drejtua policisë pas problemit që pati, jo vetëm atë ditë, por edhe më pas? Kush janë miqtë që e ndihmuan dhe ku e gjetën gomonen?
E ndërsa ai u la i lirë, veliera është ende në sekuestro deri në përfundim të hetimeve nga autoritetet shqiptare. Veliera me flamur slloven u gjet e braktisur në zonën e Patokut në datën 17 tetor.
Policia dhe Prokuroria ngritën dyshime të forta se mjeti i braktisur në afërsi të Patokut, mund të përdorej për transportim të lëndëve narkotike. Dyshimet e para ishin se në momentin që është afruar policia, 2 anëtarët e ekuipazhit e braktisën duke u larguar me gomone.
Ky ishte rasti i dytë brenda vitit, pasi në shtator të 2019 u gjet një tjetër jaht i braktisur pranë portit të Shëngjinit. Mjeti lundrues ndodhej në det të hapur dhe nuk kishte persona në bord/ db/Abcnews.al