Pavarësisht se Xhuljeta Çuni kishte denoncuar në polici, ish-të dashurin e saj, Xhafer Mata, përsëri ky veprim nuk mundi t’i shpëtojë jetën. ABC News, ka mësuar nga grupi hetimor se mamaja e gjimnazistes së ekzekutuar me dy plumba në kokë në zonën e “Don Boskos”, i kishte kërkuar vajzës së saj të tërhiqte denoncimin e bërë më 7 Maj në Komisariatin nr.3, ku i kallëzuar për përndjekje ishte edhe personi që i mori jetën më 8 Qershor, Xhafer Mata. Një ditë pas denoncimit më 8 Maj, Mata u mor në pyetje nga specialisti i zonës si edhe nga oficerë të Komisariatit nr.3.
31-vjeçari kishte deklaruar, se nuk kishte ngacmuar dhe përndjekur Çunin, ndërsa ka shtuar se kishte disa vite që ishte lidhur me gjimnazisten e shkollës “Qemal Stafa”. Prokuroria e Tiranës nuk ka një përgjigje pas interesimit të ABC News, se në ç’fazë janë hetimet, pasi ato u referuan para një muaji nga policia për përndjekje të të ndjerës Xhuljeta Çuni. Nëse prokuroria do ta kishte vlerësuar si rast, duke kërkuar në gjykatë një masë shtrënguese, qoftë, “arrest shtëpie” apo atë të “arrestit me burg”, atëherë kjo tragjedi e dyfishtë do të ishte shmangur.
Por çfarë thotë neni 121, pika “a” e Kodit Penal?
“Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin, dënimi rritet me një të tretat e dënimit të dhënë”.
Ndërkohë prokuroria e hetoi Xhafer Matën në gjendje të lirë edhe pse ai e kishte përndjekur në vende e në kohë të ndryshme të renë./abcnews.al