Di Maio këmbëngul: Italia do të qëndrojë në NATO

schedule11:58 - 7 Qershor, 2018

schedule 11:58 - 7 Qershor, 2018

Zëvendës kryeministri Italian dhe Ministri i punës Luixhi Di Maio përsëriti dhe njëherë qëndrimin e qeverisë ku bën pjesë, se vendi do të jetë aleat i NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht do të dialogojë me Moskën. Ndërkohë nuk kanë munguar reagimet.

Do të qëndrojmë në NATO dhe do jemi akoma aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por do të vazhdojmë dhe dialogun me vend etë tjera si për shembull me Rusinë. Deklarata u bë nga ministri Italian për punën Luixhi Di Maio i cili shtoi se nuk shqetësohej fare nga paralajmërimet për të mos hequr sanksionet ndaj Rusisë, dhe se qeveria italiane është aleate e asaj amerikane.

Zëvendës kryeministri Italian nga radhët e lëvizjes me pesë yje këmbënguli se Italia nuk do i nënshtrohet presioneve të qeverive të tjera, dhe se këto të fundit tashëm duhet ta kenë të qartë se eksekutivi Italian nuk është më i gatshëm të thotë po për gjithçka.

Nuk ka vonuar as reagimi nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat i kanë bërë apel qeverisë Konte që të dialogojë me Moskën por pa hequr sanksionet. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ishte shumë i qartë në deklaratën e tij duke thënë se nuk do të ketë asnjë hap prapa për sa i përket sanksioneve ndaj Moskës pasi janë të rëndësishme për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë për gabimet që ka bërë në Ukrainë.

Nga ana e saj kancelarja gjermane Anxhela Merkel konfirmoi qëndrimin kundër pjesëmarrjes së Rusisë në samitin e G8-ës duke thënë se aneksimi i Krimesë nga ana e Moskës ishte një shkelje të drejtës ndërkombëtare. Dhe kjo justifikon përjashtimin e vendit nga samiti i G8-ës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!