Ministri i Ekonomisë dhe ai i Infrastrukturës garantojnë biznesin kosovar se përdoruesit e shpeshtë të Rrugës së Kombit do të paguajnë tarifa më të ulëta se të tjerët. Dy ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri zhvilluan një konsultim për këtë çështje me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.
Ministri i Ekonomisë dhe ai i Infrastrukturës pritën të mërkurën një përfaqësi të biznesi të Odës Ekonomike të Kosovës për një diskutim konsultues para rivendosjes së tarifës së Rrugës së Kombit. Ministrat shqiptarë garantuan biznesmenët e Kosovës së për përdoruesit e shpeshtë, tarifa do të ishte më e ulët.
Damian Gjiknuri: “Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negocuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës
Arben Ahmetaj: “Pra, për t’i dhënë një mundësi atyre qe e përdorin rrugën, pra sa më shumë e përdor rrugën me kalime për kamion le të themi, aq më shumë ke mundësi të ulësh çmimin”,
Sipas Gjiknurit dhe Ahmetajt, uljet e nivelit të tarifës i ngarkohen buxhetit të shtetit shqiptar.
Damian Gjiknuri: “ Rruga do minimalisht 7 milionë euro në vit për mirëmbajtje dhe do dalë kjo shumë, ose do paguajnë gjithë shqiptarët ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta. Nuk janë kosto të fshehura ato”.
Arben Ahmetaj : “Janë gati 48-50 milion euro që i merr përsipër Buxheti i Shtetit të Shqipërisë për periudhën e koncesionit vetëm nga këto ndryshime që po mendojmë të bëjmë. Imagjinojeni se sa më shumë makina, kamionë e makina biznesi që të jenë, aq më shumë do paguajë Buxheti i Shtetit. Lajmi i mirë është që ju nuk do paguani aq sa mendohej në kontratën e parë”.
Nga ana tyre, veç kërkesës për gjetjen e formave lehtësuese biznesmenët kosovarë i propozuan ministrave që rifillimi i zbatimit të tarifës së kalimit të mund spostohet në kohë pasi të kalojë sezoni i ardhshëm turistik./abcnews.al

