Partia Demokratike ka reaguar ndaj videos së publikuar nga kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të hëne ku duken disa pamje të godinës së Drejtorisë së Targave dhe Shtypshkrimeve, si ishin ato gjatë qeverisjes së shkuar dhe si u ndryshuan ato.
Në reagimin e tij shefi i kabinetit të PD-së, Dorjan Teliti shkruan se Rama po u shet shqiptarëve si arritje shpenzimet e luksit për zyrat e tij.
Reagimi i PD
Por, Partia Demokratikë ka reaguar nëpërmjet Dorjan Telitit, shef i kabinetit të Lulzim Bashës, i cili ka nxjerrë në pah shpenzimet që ka kryer Qeveria Rama në 7 vite.
Sipas Telitit, Rama po u shet shqiptarëve si arritje shpenzimet e luksit për zyrat e tij.
“Në 7 vite, Edi Rama ka shpenzuar: 85,5 milion euro për blerje/qira operacionale/servis makinash; 25 milion euro për mobilim zyrash; 109 milion euro për rikonstruksion zyrash dhe godinash qeveritare; 4.5 milion euro për godinën e OSHEE-së; 3.2 milion euro vetëm për zyrat e Kryeministrisë; 1.25 milion euro për rikonstruksionin e zyrave të Albcontrol-it.
Asnjë përmirësim të shërbimit për qytetarët nuk kanë sjellë këto shpenzime marramendëse, ndërkohë që tarifat vetëm shtrenjtohen! Radhët përpara zyrave të shtetit vazhdojnë të zgjaten!
Ryshfeti për të marrë shërbim vazhdon të shtrenjtohet! Rama dhe enturazhi i tij vazhdojnë të majmen dhe të kridhen në luks! Por, luksin dhe zdërhalljen e tyre me paratë e buxhetit, shqiptarët nuk e quajnë arritje! E quajnë thjesht vjedhje!”, thekson zyrtari i PD./abcnews.al