Tusk pret Presidentin e Malit Të Zi në Bruksel

schedule17:03 - 5 Qershor, 2018

schedule 17:03 - 5 Qershor, 2018

Presidenti i Këshillit Europian ka pritur Presidentin e Malit të Zi në Bruksel. Tusk i kërkoi Gjukanoviçit, që të veprojë për të kapërcyer mosmarrëveshjet mes partive proevropiane.

Situata konfliktuale politike e krijuar brenda institucioneve të Malit të Zi  cilësohet si dobësi strategjike nga institucionet e Bashkimit Europian. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Presidenti i Këshillit Europian, Doland Tusk i ka kërkuar Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, që të marrë drejtimin për të kapërcyer mosmarrëveshjet midis forcave proeuropiane në gjirin e  institucioneve kyçe të vendit.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Sot më shumë se kurrë nuk kemi nevojë vetëm për deklarata politike, por edhe aksione konkrete. Ndaj,do të doja të shihja një avancim më të shpejtë të ecurisë së negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Kjo do të thotë jo vetëm hapje të kapitujve të rinj, por edhe mbyllje të kapitujve të tjerë. I thashë Presidentit Gjukanoviç, se ecuria e reformave varet nga vendi i tij. Një gjurmë provash solide lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ështê esenciale në këtë kuadër, ashtu si dhe pavarësia e medias dhe shoqëria civile është element thelbësor i procesit.  Shpreha keqardhjen që forcat proeuropiane në Mal të Zi nuk janë në gjendje që të bashkëpunojnë në gjirin e institucioneve të vendit. E inkurajova Presidentin Gjukanoviç që të marrë drejtimin për të kapërcyer këtë dobësi strategjike”.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjykanoviç, ka treguar angazhimin, që vendi i tij të ecë me hapa të shpejtë në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe të vendosë fokusin në prioritetet e forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ai është takuar edhe me përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!